Bukë ciabatta për sanduiçe (recetë e thjeshtë)

Një bukë shumë e mirë për sanduiçe, e butë brenda dhe pak krokante nga jashtë. Bëhet lehtë në shtëpi dhe shkon me çdo lloj mbushje, qoftë diçka e thjeshtë apo më e pasur.
📝 Përbërësit
- 1 kg miell gruri
- 1 paketë maja e thatë (10 g)
- 2 lugë çaji kripë
- 300 ml ujë i vakët
- 250 ml qumësht i vakët
- Fara sipas dëshirës (p.sh. susam ose fara të zeza)
👨🍳 Përgatitja
1. Vendos miellin në një enë të madhe dhe shto majanë e thatë dhe kripën.
2. Shto qumështin dhe ujin e vakët në miell dhe përziej derisa të bëhet një brumë i butë dhe pak ngjitës që fillon të shkëputet nga ena.

💡 Këshillë
Nëse brumi të duket shumë i lagësht, shto pak miell (nga një lugë çdo herë) derisa të arrish konsistencën e duhur.

3. Mbulo enën dhe lëre brumin të vijë për rreth 1 orë, ose derisa të dyfishohet në madhësi.
💡 Këshillë
Në vend të ngrohtë brumi vjen më shpejt. Mund ta mbash në furrë (të fikur) ose afër një nxemjeje që të vijë më mirë. Në vend më të ftohtë, do të marrë pak më shumë kohë.
4. Vendose brumin në tavolinën e punës të lagur pak me ujë. Me duar të lagura hape lehtë në formë drejtkëndëshi. Lëre të pushojë rreth 15 minuta para se ta ndash në pjesë.

5. Ndaje brumin në 10–12 pjesë të barabarta, varësisht sa të mëdha i dëshiron bukët.

6. Vendosi pjesët me kujdes në tepsi me letër pjekjeje. Jepu formë drejtkëndëshi lehtë, pa e shtypur shumë brumin.
7. Lyeji sipër me pak ujë para pjekjes dhe hidh fara sipas dëshirës (susam ose fara të zeza). Kjo ndihmon që të bëhet kore më krokante dhe farat të ngjiten më mirë.
8. Piqi në furrë të parangrohur në 240°C për rreth 15 minuta, ose derisa të marrin ngjyrë të artë dhe kore krokante.

9. Lëri bukët të pushojnë rreth 10 minuta para se t'i shërbesh.
