Rizoni me mish viçi në furrë – e shijshme dhe praktike

Kjo është një nga ato receta që bëhet shumë lehtë, por del super e shijshme 🤤 Orzo me mish viçi i gatuar në furrë, me shumë lëng dhe shije, është perfekt për drekë apo darkë. Kombinimi me sallatë kastraveci me kos e bën akoma më të freskët dhe të balancuar.
Nëse doni ta shoqëroni si në foto, recetën për sallatën e kastravecit mund ta gjeni këtu 👉 🥒 Sallatë krem me kastravec dhe kos
Përbërësit:
- 600 g mish viçi (i prerë në kube)
- 200 g orzo (rizoni)
- 1 qepë e madhe, e grirë imët
- 2 karrota, të prera në kube të vogla
- 2 thelpinj hudhre, të grirë
- 5 lugë gjelle vaj ulliri
- 1 lugë gjelle pure domatesh (koncentrat)
- 1 kanaçe domate të prera (400 g)
- Kripë dhe piper i zi
- 1 lugë çaji trumzë e thatë
- 1 lugë çaji rigon i thatë
- 2 gjethe dafine
- Rreth 700–800 ml lëng perimesh (shtoni sipas nevojës)
Përgatitja:
Në një tigan të thellë, ngroh 2 lugë gjelle vaj ulliri dhe skuq mishin e viçit derisa të marrë një ngjyrë të bukur kafe.
Kur mishi të jetë skuqur, shto qepën e grirë dhe kaurdis derisa të zbutet. Përzieje herë pas here.
Pastaj shto hudhrën e grirë dhe lëre të gatuhet pak bashkë me mishin dhe qepën.

Shto koncentratin e domates (pure) dhe përzieje mirë. Rregulloje shijen me kripë dhe piper të zi. Shto rigonin, trumzën dhe domatet e copëtuara. Përzieje mirë.
Pastaj shto rreth 300 ml lëng perimesh, gjethet e dafinës dhe karotat e prera në kubikë të vegjël.

Lëre të vlojë, pastaj vendos kapakun dhe ziej në zjarr të ulët për rreth 2 orë. Përzieje herë pas here. Nëse duhet, shto pak më shumë lëng.
Në një tigan tjetër, ngroh 3 lugë gjelle vaj ulliri. Shto orzon dhe skuqe për rreth 3 minuta.
Pastaj shtoje orzon në salcën me mish. Shto edhe rreth 300 ml lëng perimesh dhe lëre të ziejë për 15 minuta me kapak. Nëse duhet, shto pak më shumë lëng.

Kaloje masën në një tavë (tepsi) që futet në furrë. Mbuloje me letër alumini dhe piqe në 180°C për 15 minuta.
Pastaj hiqe letrën e aluminit dhe vazhdo pjekjen edhe për 15 minuta të tjera.

Lëre të pushojë për rreth 10 minuta para se ta shërbesh.

Shërbeje sipas dëshirës me një sallatë të freskët kastraveci me kopër.👇
🥒 Sallatë krem me kastravec dhe kos

Receta të tjera që mund t'i provosh:
Të pëlqeu kjo recetë? Ja edhe disa ide të tjera nga Gatuaj Lehtë që mund t'i provosh:
Si të bëni gjyveç në tavë me mish (recetë e lehtë)
File pule në salcë kremoze me kërpudha – drekë e shpejtë dhe plot shije