Akullore me vanilje me vetëm 4 përbërës

Ka receta që nuk dalin kurrë nga moda, dhe akullorja me vanilje është njëra prej tyre. Me vetëm 4 përbërës të thjeshtë, mund të përgatisni në shtëpi një akullore të butë, kremoze dhe plot shije. Nuk ju duhet makinë akulloreje, vetëm pak durim derisa të ngrijë. Perfekte për ditët e nxehta ose sa herë që ju hahet një ëmbëlsirë e freskët.


Përbërësit


  • 6 të verdha vezësh
  • 150 g sheqer
  • 1 lugë çaji sheqer vanilje
  • 500 ml krem për rrahje (Hopla)

1. Në një enë të madhe hidhni të verdhat e vezëve, sheqerin dhe sheqerin e vaniljes. Rrihini me mikser për rreth 5–7 minuta, derisa masa të zbardhet, të fryhet dhe të bëhet e trashë e kremoze.


2. Në një enë tjetër, rrihni kremin për rrahje (Hopla) derisa të bëhet i butë, i ajrosur dhe kremoz. Mos e rrihni më shumë seç duhet, që të ruajë një strukturë të lehtë dhe të lëmuar.

3. Shtojeni kremin e rrahur te masa me të verdhat e vezëve. Me një spatul ose lugë të madhe, përziejeni ngadalë me lëvizje nga poshtë lart, derisa të bashkohet plotësisht. Mos e përzieni me forcë, që masa të mbetet e lehtë dhe e ajrosur.


4. Hidheni masën në një enë që mund të futet në ngrirje dhe rrafshojeni lehtë sipërfaqen. Mbulojeni mirë me folje plastike, në mënyrë që të hyjë sa më pak ajër, pastaj futeni në ngrirje për të paktën 6 orë, ose derisa akullorja të ngrijë plotësisht.


Shërbejeni akulloren me fruta të freskëta, salcë frutash ose me shoqëruesin tuaj të preferuar. Bëhet edhe më e shijshme!


Këshilla


  • Përdorni vezë në temperaturë dhome, sepse masa rrihet më lehtë dhe bëhet më e ajrosur.
  • Përziejeni kremin e rrahur ngadalë me spatul, që akullorja të mbetet e butë dhe kremoze.
  • Mbulojeni mirë enën me folje plastike para se ta fusni në ngrirje. Kjo ndihmon që të mos krijohen kristale akulli.
  • Nëse dëshironi, mund t'i shtoni copëza çokollate, biskota të thërrmuara, karamel ose fruta të freskëta para se ta ngrini.
  • Para se ta shërbeni, lëreni akulloren 5–10 minuta në temperaturë dhome. Kështu bëhet më e butë dhe merret më lehtë me lugën e akullores.

Share