Supë pule me miell misri dhe perime - recetë e lehtë

Kjo supë me pulë, miell misri dhe perime është shumë e ngrohtë, e lehtë dhe plot shije. Kombinimi i mishit të pulës me perimet dhe baza kremoze me miell misri e bën supën shumë të butë dhe të shijshme. Perfekte për drekë ose darkë familjare.
Përbërësit
- 1 pulë e plotë
- Lëngu nga pula e zier (rreth 2–2.5 litra)
- 2 vezë
- 4 lugë gjelle miell misri i imët
- 4 thelpinj hudhre të shtypur
- 4 lugë gjelle kos natyral
- 1 lugë gjelle vegetë
- Kripë dhe piper i zi sipas shijes
- 1 karotë e madhe e grirë
- ½ brokoli i ndarë në copa të vogla
- ½ grushti majdanoz i freskët
- 2 lugë gjelle lëng limoni
Për servirje
- 1 lugë gjelle kefir ose kos (sipas dëshirës)
1. Ziejeni pulën në ujë derisa të zbutet mirë, rreth 1 orë. Gjatë zierjes shtoni vegetën dhe pak kripë sipas shijes. Shkumën që krijohet sipër hiqeni herë pas here me lugë.
Kur pula të jetë gati, nxirreni nga tenxherja dhe ndajeni mishin në copa të vogla. Lëngun e pulës mbajeni në zjarr të ulët për vazhdimin e supës.
2. Në një enë të thellë vendosni vezët dhe miellin e misrit, pastaj përziejini mirë derisa masa të bëhet njëtrajtshme pa kokrra.

3. Pastaj shtoni hudhrën e shtypur dhe kosin, dhe përziejini përsëri derisa masa të bashkohet mirë.

4. Pastaj shtoni ngadalë rreth 3 garuzhde lëng të ngrohtë pule te përzierja me vezë, duke e përzier vazhdimisht. Kjo bëhet që vezët të mos mpiksen kur masa të hidhet në supë.
5. Hidheni përzierjen me vezë përsëri në tenxhere te lëngu i pulës, duke e përzier ngadalë. Lëreni supën të ziejë edhe rreth 5 minuta në zjarr mesatar, pastaj shtoni kripë dhe piper sipas shijes.

6. Shtoni lëngun e limonit, mishin e pulës, karotën, brokolin dhe majdanozin në tenxhere. Lëreni supën të ziejë edhe rreth 5 minuta, derisa perimet të zbuten pak por të mbeten ende të freskëta.


Shërbeje supën të ngrohtë dhe sipër shto pak kos ose kefir, sipas dëshirës. 😊

💡 Këshilla
Shtoje lëngun e ngrohtë pak nga pak te përzierja me vezë dhe përzieje vazhdimisht, që vezët të mos mpiksen në supë.
Brokolin mos e zie shumë gjatë, që të ruajë ngjyrën dhe të mbetet pak krokante.
Supën mund ta bësh edhe me perime të tjera ose me erëza sipas shijes tënde.
Mund të përdorësh aq mish pule sa dëshiron. Unë përdora rreth gjysmën e pulës së zier, por nëse e do më të pasur, mund ta shtosh edhe të gjithën. Supa bëhet shumë mirë edhe vetëm me kofsha pule.
Kjo supë bëhet edhe më e shijshme kur shërbehet me pak kos ose kefir sipër. 😊