Tortë me dredhëza dhe krem mascarpone (recetë e thjeshtë)

Kjo tortë me dredhëza dhe krem mascarpone është e lehtë për t'u përgatitur dhe shumë e shijshme. Kombinimi i pandispanjës së butë, salcës së freskët me dredhëza dhe kremit të lehtë mascarpone e bën perfekte për çdo rast.
Recetë ideale për ditë vere, festa apo kur doni një ëmbëlsirë të bukur pa shumë vështirësi.

Përbërësit:


🍰 Baza:1 pandispanjë (formë 20 cm)


🍓 Salca e dredhëzave:

250 g dredhëza (të freskëta ose të ngrira)

50 g sheqer

Lëngu i 1/2 limoni


🍫 Glazura me çokollatë:

150 g çokollatë

150 ml ajkë-pana (për ëmbëlsira)


🍯 Sherbeti:

50 g sheqer

50 ml ujë


🧀 Krem mascarpone:

250 g mascarpone

60 g sheqer pluhur

1 lugë çaji vanilje

300 ml ajkë-pana (për rrahje)

3 fletë xhelatinë


🥥 Sipër:5–6 lugë gjelle kokos


Përgatitja:


Fillimisht, për këtë tortë do t'ju duhet një pandispanjë e butë dhe e lehtë.
👉 Recetën e gjeni këtu. Pandispanjë e butë – receta bazë (20, 22 dhe 24 cm)

Pasi pandispanja të jetë gati dhe e ftohur plotësisht, vazhdoni me përgatitjen e tortës.
 


Sherbeti:

1. Vendosni ujin dhe sheqerin në një tenxhere të vogël. Lërini të ziejnë në zjarr mesatar për rreth 10–15 minuta, derisa të krijohet një sherbet i lehtë. Lëreni të ftohet para përdorimit.


Salca e dredhëzave:

2. Vendosni dredhëzat, sheqerin dhe lëngun e limonit në një tenxhere të vogël. Lërini të ziejnë derisa dredhëzat të zbuten plotësisht.

Më pas bluajeni përzierjen derisa të bëhet e lëmuar dhe kullojeni për të hequr farat. Lëreni të ftohet para përdorimit.


Glazura me çokollatë:

3. Vendosni çokollatën dhe ajkën në një tas dhe shkrini me kujdes në banjë me ujë (mbi avull), derisa çokollata të shkrihet plotësisht dhe përzierja të bëhet e njëtrajtshme.

Lëreni glazurën të ftohet në temperaturë ambienti para përdorimit.


Lagia e pandispanjës:

4. Shpërndani në mënyrë të barabartë sherbetin e ftohur mbi gjithë pandispanjën.


Mbulesa me çokollatë:

5. Hidhni glazurën e ftohur të çokollatës mbi tortë dhe shpërndajeni në mënyrë të barabartë mbi gjithë sipërfaqen dhe anët e saj.

Shtimi i kokosit:

6.   Spërkatni kokos mbi gjithë tortën në mënyrë që si sipërfaqja ashtu edhe anët të mbulohen në mënyrë të barabartë.


Ftohja e tortës:

7. Vendoseni tortën në frigorifer derisa çokollata të jetë forcuar dhe kokosi të jetë ngjitur mirë.


Përgatitja e xhelatinës:

8. Vendosni fletët e xhelatinës në ujë të ftohtë për disa minuta derisa të zbuten.
Ngrohni rreth 100 ml nga pana (merreni nga sasia për krem) dhe përzieni në të xhelatinën e zbutur derisa të tretet plotësisht.

Lëreni përzierjen të ftohet pak – duhet të jetë ende e lëngshme, por jo e nxehtë kur ta shtoni në krem.


Përzierja e mascarpones:

9. Përzieni mascarponen me sheqer pluhur dhe sheqer vanilje me mikser derisa të bëhet një përzierje e njëtrajtshme dhe kremoze.

Shtoni përzierjen e xhelatinës dhe përziejeni lehtë derisa të bashkohet mirë.


Rrahja e panës:

10. Rrihni pjesën e mbetur të panës në një enë tjetër derisa të bëhet krem i qëndrueshëm dhe i lehtë.


Përzierja e kremit:

11. Shtoni me kujdes panën e rrahur në kremin me mascarpone duke e përzier lehtë me spatul derisa të bashkohet mirë.


Prerja e pandispanjës:

12. Ndajeni tortën horizontalisht në dy shtresa me një thikë të gjatë dhe të mprehtë, në mënyrë që të keni një bazë dhe një pjesë të sipërme të barabartë.
Prisni me kujdes dhe në mënyrë të njëtrajtshme rreth e rrotull për rezultat më të mirë.


Vendosja e bazës:

13. Vendoseni pjesën e poshtme në një formë (20 cm) dhe shpërndani salcën e dredhëzave në mënyrë të barabartë mbi të gjithë sipërfaqen.

Vendosja e kremit:

14. Shpërndani kremin me mascarpone në mënyrë të barabartë mbi bazë dhe lëmojeni.
Për një rezultat më të mirë, mund të përdorni një qese pastiçerie për ta vendosur kremin, pastaj ta rrafshoni lehtë me spatul.


Vendosja e shtresës së sipërme:

15. Vendosni me kujdes pjesën e sipërme të tortës mbi krem dhe rregullojeni që të qëndrojë drejt dhe në mënyrë të barabartë.


Ftohja përfundimtare:

16. Vendoseni tortën në frigorifer për të paktën 4 orë, ose më mirë gjatë gjithë natës.


Shërbimi:

17. Prijeni tortën në copa sipas dëshirës, dekorojeni me dredhëza të freskëta dhe shërbejeni.


💡 Këshilla:


Mund të përdorni edhe lloje të tjera frutash në vend të dredhëzave, si për shembull mjedra ose një përzierje frutash.

Për një rezultat më të bukur, mund të vendosni një shirit acetati rreth formës para se ta mbushni tortën. Kjo ndihmon që anët të dalin më të rregullta dhe e bën më të lehtë nxjerrjen nga forma.

Torta mund të përgatitet edhe në një formë 22 cm, por do të dalë pak më e ulët.

Provojeni salcën e dredhëzave para përdorimit – mund të shtoni pak më shumë sheqer ose lëng limoni sipas shijes.

Nëse nuk keni mascarpone, mund të përdorni krem djathi si alternativë.


Share