Salcë Domatesh Shtëpie për Pica dhe Pasta

Një salcë e mirë domatesh është nga ato receta që ia vlen ta keni gjithmonë në kuzhinë. Kjo përgatitet me domate, qepë, karota dhe selino, të cilat gatuhen ngadalë së bashku për të nxjerrë sa më shumë shije. Në fund, salca bluhet derisa të bëhet e lëmuar dhe aromatizohet me borzilok e rigon.

Është shumë e përshtatshme për pica, pasta, Bolognese dhe shumë gatime të tjera. Mund ta përgatisni edhe në sasi më të madhe dhe ta ruani në porcione për një përdorim të shpejtë më vonë.


Përbërësit


  • 2 qepë mesatare, të grira imët
  • 2 kërcell selinoje, të grira imët
  • 2 karota mesatare, të prera në kubikë të vegjël
  • 3–4 lugë gjelle vaj ulliri
  • 2 kg domate të konservuara ose domate të freskëta të kuqe
  • Kripë, sipas shijes
  • Piper i zi, sipas shijes
  • 1 lugë gjelle borzilok të thatë
  • 1 lugë gjelle rigon të thatë

1. Skuqja e perimeve


Në një tenxhere të madhe dhe të thellë ngrohim vajin e ullirit. Shtojmë qepën, selinon dhe karotat dhe i kaurdisim në zjarr mesatar derisa perimet të zbuten dhe qepa të bëhet e tejdukshme.


2. Shtojmë domatet


Shtojmë domatet te perimet dhe i përziejmë mirë. Mbulojm tenxheren me  kapak dhe e lëmë salcën të ziejë ngadalë në zjarr mesatar për rreth 40 minuta. Gjatë kësaj kohe e përziejmë disa herë, që të mos ngjitet në fund.


3. Kalojeni salcën në blender


Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe kalojeni salcën në blender. Përziejeni derisa të bëhet e lëmuar dhe e njëtrajtshme.


4. Shtojmë erëzat


Në fund shtojmë kripën, piperin e zi, borzilokun e thatë dhe rigonin. E vendosim përsëri tenxheren në zjarr dhe e lëmë salcën të ziejë ngadalë, pa kapak, për rreth 15 minuta.

Gjatë kësaj kohe një pjesë e lëngut do të avullojë dhe salca do të trashet, ndërsa shijet do të bashkohen edhe më mirë.


5. Ftoheni dhe ruajeni


Lëreni salcën të ftohet pak dhe më pas hidheni në kavanoza ose enë të pastra. Ruajeni në frigorifer dhe përdoreni brenda disa ditësh.

Nëse dëshironi ta ruani për më gjatë, mund ta ndani në porcione dhe ta vendosni në ngrirje. Kështu mund ta keni gati sa herë që ju duhet për pica, pasta apo gatime të tjera.


Receta që shkojnë shumë mirë me këtë salcë

🍕 Brumë i shpejtë për pica – një bazë e thjeshtë për të përgatitur pica në shtëpie.
 Brumë i Shpejtë për Pica – Recetë e Lehtë për Pica Shtëpie


🍕 Pica e mbushur – përdoreni këtë salcë si bazë për një picë plot shije.
Pica të mbyllura (Calzone) 


🍝 Bolognese e shpejtë – kjo salcë është një bazë shumë e mirë për një salcë Bolognese të shijshme.
Salcë bolognese e shpejtë – gati për 30 minuta 

 

Këshilla


Përgatiteni në sasi më të madhe:


Këtë salcë mund ta përgatisni edhe në sasi më të madhe dhe ta ndani në porcione për ngrirje. Kështu do ta keni gjithmonë gati kur t'ju duhet për pica ose pasta.


Përdorni domate të kuqe:


Nëse përdorni domate të freskëta, zgjidhni domate të kuqe dhe me shumë shije. Ato i japin salcës një shije më të ëmbël dhe më të plotë.


Lërini perimet të zbuten mirë:


Mos u nxitoni me qepën, karotën dhe selinon. Lërini të kaurdisen ngadalë në vaj ulliri derisa të zbuten mirë. Kjo u nxjerr më shumë shije dhe i jep salcës një ëmbëlsi natyrale.


Për pasta:


Kur ta përdorni salcën për pasta, mund të shtoni pak nga uji ku është zier pasta. Kjo e bën salcën më të hollë dhe ndihmon që të lidhet më mirë me pastën.


Provojeni në fund:


Para se ta hiqni nga zjarri, provojeni dhe rregullojeni sipas shijes me kripë, piper të zi, borzilok dhe rigon.


Ruajtja:


Lëreni salcën të ftohet para se ta vendosni në frigorifer. Ruajeni në një enë të pastër dhe të mbyllur mirë dhe përdoreni brenda disa ditësh. Për ruajtje më të gjatë, ndajeni në porcione dhe vendoseni në ngrirje.


Share