Baguette të bëra në shtëpi – krokante jashtë, të buta brenda

Baguette të sapopjekura me kore krokante, të vendosura mbi dërrasë druri

Këto baguette të bëra në shtëpi kanë një kore të artë dhe krokante, ndërsa brenda janë të buta dhe të ajrosura. Përgatitja kërkon pak durim gjatë fermentimit dhe palosjes së brumit, por rezultati ia vlen. Avulli gjatë pjekjes ndihmon në krijimin e asaj koreje krokante që i bën baguettet kaq të veçanta.



Përbërësit

  • 1 kg miell
  • 2 lugë çaji kripë
  • 13 g maja buke e thatë
  • 7 dl ujë i vakët gjithsej
    • 2 dl për aktivizimin e majasë
    • 5 dl për brumin

Përgatitja
Aktivizimi i majasë

Përziejmë majanë e thatë me 2 dl ujë të vakët dhe e lëmë të aktivizohet për 5–10 minuta.


Përgatitja e brumit

Në makinën e brumit vendosim miellin, kripën dhe majanë e aktivizuar. Fillojmë të shtojmë gradualisht 5 dl ujë të vakët, duke e lënë brumin të përzihet gjatë gjithë kohës.

Përgatitja e brumit për baguette në makinë, duke shtuar gradualisht ujë të vakët

E përziejmë ose e ngjeshim brumin për rreth 8–10 minuta, derisa të bëhet i butë dhe elastik dhe të mos ngjitet në enë. Nëse brumi del shumë i butë dhe i lagësht, shtojmë nga një lugë gjelle miell, derisa të arrijë konsistencën e duhur.

Brumë i përgatitur për baguette, i butë dhe elastik, në enën e makinës së brumit


Palosja e parë

Pas përzierjes, brumin e vendosim në një tepsi të thellë, ku është më e lehtë ta palosim gjatë fermentimit.

Me duar të lagura ose lehtësisht të lyera me ujë, tërheqim brumin nga skajet drejt qendrës, duke e palosur nga të gjitha anët. E mbulojmë me një pecetë ose folie plastike dhe e lëmë në temperaturë dhome për 45 minuta.

Palosja e brumit të fermentuar për baguette nga skajet drejt qendrës
Brumë për baguette duke fermentuar në enë, i mbuluar me folie plastike


Palosja e dytë

Pas 45 minutash, përsërisim të njëjtin veprim. Tërheqim butësisht brumin nga skajet drejt qendrës, duke e ngritur pak dhe duke e vendosur në mes. E bëjmë këtë rreth e rrotull, nga të gjitha anët.

E mbulojmë përsëri dhe e lëmë të pushojë edhe 45 minuta.


Palosja e tretë

Pas 45 minutash të tjera, e përsërisim edhe një herë të njëjtën procedurë.

Në total, brumi paloset 3 herë, me nga 45 minuta pushim mes çdo palosjeje.

Gjatë gjithë këtij procesi është e rëndësishme ta trajtojmë brumin me kujdes dhe të mos e shtypim shumë. Kështu ruajmë ajrin që krijohet gjatë fermentimit dhe baguettet dalin më të lehta dhe me vrima të bukura brenda.


Ndarja e brumit

Pas fermentimit të fundit, e vendosim brumin në tavolinën e punës të spërkatur me miell. Me duar e formojmë butësisht në një formë të gjatë, që të jetë më e lehtë për ta ndarë në pjesë të barabarta.

E mbulojmë me një pecetë dhe e lëmë të pushojë për 10 minuta.

Nga kjo masë do të përgatisim rreth 6 baguette. E ndajmë brumin në 6 pjesë sa më të barabarta.

Brumi i fermentuar për baguette, i vendosur në tavolinën e punës pas fermentimit

Formimi fillestar

Secilën pjesë e shtypim lehtë dhe e palosim nga të dyja anët drejt mesit. Pastaj e rrotullojmë me duar, derisa të marrë një formë të vogël eliptike/cilindrike.

Vazhdojmë njësoj me të gjitha pjesët. I mbulojmë dhe i lëmë të pushojnë edhe 15 minuta.

Gjashtë pjesë brumi të ndara për përgatitjen e baguettes, të vendosura mbi tavolinë të spërkatur me miell

Formimi i baguettes

Pas 15 minutash pushim, fillojmë t'i japim secilës pjesë formën përfundimtare të baguettes.

E vendosim një copë brumi në tavolinën e punës dhe e shtypim lehtë me gishta përgjatë mesit, duke krijuar një vijë në qendër. Dy anët që mbeten të fryra i palosim drejt njëra-tjetrës.


Formimi i baguettes duke shtypur brumin me gishta përgjatë mesit


Pastaj i bashkojmë të dyja anët në mes dhe e shtypim lehtë bashkimin me gishta përgjatë gjithë gjatësisë, në mënyrë që brumi të mbyllet mirë.

Mbyllja e brumit të baguettes duke bashkuar dhe shtypur skajet përgjatë gjatësisë

E kthejmë brumin dhe, me të dyja duart, e zgjatim butësisht derisa të arrijë afërsisht gjatësinë e tepsisë së pjekjes.

Baguette e formuar dhe e zgjatur me duar deri në gjatësinë e dëshiruar

Vazhdojmë në të njëjtën mënyrë me të gjitha pjesët.


Pushimi i baguettes

Hedhim pak miell mbi një pecetë të pastër dhe vendosim baguettet një nga një. Pas çdo baguette-je, e ngremë pak pecetën lart për të krijuar një ndarje mes tyre. Kështu secila baguette qëndron në hapësirën e vet dhe nuk prek ose fërkohet me baguetten pranë saj gjatë pushimit.

Baguettet e formuara duke pushuar mbi një pecetë të spërkatur me miell, të ndara nga njëra-tjetra me palosjet e pecetës


I mbulojmë dhe i lëmë të pushojnë edhe 10 minuta.


Kalimi i baguettes në tepsi

Pas 10 minutash pushim, përgatisim tepsinë duke e shtruar me letër pjekjeje. Vendosim nga 3 baguette në secilën tepsi.

Për t'i kaluar më lehtë nga peceta në tepsi, mund të përdorim një dërrasë ose lopatë buke. E afrojmë dërrasën pranë baguette-s, e rrotullojmë butësisht baguette-n nga peceta mbi dërrasë dhe më pas e kalojmë nga dërrasa në tepsi.

Baguettet duke u transferuar nga dërrasa e bukës në tepsi të shtruar me letër pjekjeje

Gjatë vendosjes në tepsi, kujdesemi që pjesa e bashkuar dhe më e shtypur e baguette-s të jetë poshtë, ndërsa pjesa e lëmuar të mbetet sipër.

I vendosim me hapësirë mes tyre, pasi do të fryhen gjatë pjekjes.


Prerja dhe përgatitja për pjekje

Me një thikë të mprehtë bëjmë 3 prerje të pjerrëta mbi secilën baguette. Prerjet bëhen lehtë, pa e shtypur brumin, në mënyrë që gjatë pjekjes të hapen dhe baguettet të marrin pamjen karakteristike.

Baguette brumi të formuara dhe të prera me tri vija të pjerrëta, gati për pjekje


Para se t'i fusim në furrë, i spërkasim lehtë me ujë. Kjo ndihmon që gjatë pjekjes të krijohet një kore më e hollë dhe krokante.


Pjekja

E nxehim furrën në 240°C. Në fund të furrës vendosim një tigan ose një tepsi të zbrazët dhe e lëmë të nxehet bashkë me furrën.

Kur furra të jetë nxehur dhe baguettet të jenë gati për pjekje, i vendosim në furrë dhe menjëherë hedhim 1 gotë ujë në tiganin ose tepsinë e nxehtë që ndodhet në fund të furrës. Uji do të krijojë avull, i cili ndihmon që baguettet të marrin një kore të bukur dhe krokante.

I pjekim për 20–25 minuta, ose derisa të marrin një ngjyrë të artë të mbyllt dhe korja të jetë krokante.

Baguette të sapopjekura me kore të artë dhe krokante, të vendosura mbi njëra-tjetrën


I nxjerrim nga furra dhe i lëmë të ftohen para se t'i shërbejmë.


Këshillë

Gjatë palosjes dhe fermentimit, përpiquni ta trajtoni brumin me kujdes dhe të mos e shtypni, në mënyrë që të ruhet ajri i krijuar gjatë fermentimit. Për një kore më krokante, mos e anashkaloni avullin gjatë minutave të para të pjekjes.

Gjithashtu, mos e teproni me miellin gjatë formimit të baguettes. Brumi duhet të mbetet i butë dhe elastik, ndërsa shumë miell mund ta bëjë koren më të trashë dhe brendësinë më të thatë.