Rrolladë me luleshtrydhe dhe krem mascarpone

Kjo rrolladë me luleshtrydhe dhe krem mascarpone është një ëmbëlsirë e lehtë dhe shumë e shijshme. Pandispanja e butë, luleshtrydhet dhe kremi mascarpone shkojnë shumë mirë bashkë. Përgatitet lehtë dhe është një zgjedhje e mirë edhe kur ke mysafirë.
Përbërësit
Salcë me luleshtrydhe
250 g luleshtrydhe, të freskëta ose të ngrira
50 g sheqer
Pandispanjë për rrolladë
100 g miell
1 lugë çaji pluhur pjekës
½ lugë çaji kripë
4 vezë, në temperaturë ambienti
150 g sheqer
1 lugë çaji sheqer vanilje
2 lugë gjelle vaj neutral
Krem me mascarpone
250 g mascarpone
60 g sheqer pluhur
1 lugë çaji sheqer vanilje
200 ml ajkë për rrahje
Për dekor
Pak sheqer pluhur
Luleshtrydhe të freskëta
Përgatitja
1. Përgatit salcën me luleshtrydhe.
Vendosi luleshtrydhet dhe sheqerin në një tenxhere të vogël. Ziejini në zjarr mesatar derisa luleshtrydhet të zbuten.
2. Bluaji luleshtrydhet.
Pasi të jenë zbutur, bluaji në blender derisa të bëhen një masë e lëmuar. Pastaj kulloje për të hequr farat dhe lëre të ftohet plotësisht.
3. Përgatit pandispanjën.
Në një enë të madhe rrihi vezët me sheqerin dhe sheqerin vanilje me mikser për disa minuta, derisa masa të bëhet e çelët, e trashë dhe e ajrosur. Kur ta ngresh rrahësen, masa duhet të bjerë ngadalë dhe të lërë gjurmë për pak sekonda mbi sipërfaqe. Kjo tregon se vezët janë rrahur mjaftueshëm dhe do ta ndihmojnë pandispanjën të dalë e butë dhe e fryrë.
4. Shto përbërësit e thatë.
Kaloje miellin në sitë direkt mbi masën e vezëve, pastaj shto pluhurin për pjekje dhe kripën. Përzieje shkurt me mikser në shpejtësi të ulët, vetëm sa të bashkohet masa. Në fund shto vajin dhe përzieje lehtë derisa të lidhet.

5. Hidheni masën në tepsi.
Shtrije masën në një tepsi drejtkëndëshe 30 × 40 cm, të shtruar me letër pjekjeje. Përhape në mënyrë të barabartë.

6. Piqe pandispanjën.
Piqe në furrë të parangrohur në 180°C për rreth 12–15 minuta, derisa sipërfaqja të marrë një ngjyrë të lehtë të artë.
7. Përgatit pecetën.
Sapo ta nxjerrësh pandispanjën nga furra, duhet të jesh gati për ta rrotulluar. Shtrije një pecetë të pastër kuzhine mbi tavolinë dhe spërkate lehtë me sheqer pluhur. Mos përdor shumë sheqer, mjafton një shtresë e hollë që pandispanja të mos ngjitet.
8. Rrotulloje pandispanjën sa është e nxehtë.
Ktheje pandispanjën e nxehtë me kujdes mbi pecetën e përgatitur dhe hiqe ngadalë letrën e pjekjes.
Pa pritur që pandispanja të ftohet, fillo ta rrotullosh bashkë me pecetën nga ana e shkurtër. Ndërsa e rrotullon, peceta duhet të futet brenda bashkë me pandispanjën, në mënyrë që pandispanja të jetë e mbështjellë plotësisht brenda pecetës dhe jo thjesht e rrotulluar sipër saj.
Mos e shtrëngo shumë, por rrotulloje mjaftueshëm që të marrë formën e rrolladës. Në fund, mbështille plotësisht me pecetë dhe lëre të pushojë për rreth 10–15 minuta.
Mos e lër pandispanjën të ftohet e hapur. Nëse ftohet pa u rrotulluar, më vonë mund të çahet kur ta hapësh për ta mbushur dhe ta rrotullosh përsëri.

9. Përgatit kremin mascarpone.
Në një enë rrih mascarponen me sheqerin pluhur dhe sheqerin vanilje derisa masa të bëhet e butë, kremoze dhe e njëtrajtshme.
10. Rrih ajkën (panën).
Në një enë tjetër, rrih ajkën (panën) e ftohtë me mikser derisa të trashet dhe të bëhet e qëndrueshme. Mos e rrih më shumë seç duhet, sepse duhet të mbetet e butë dhe kremoze.
11. Bashko kremrat.
Shto ajkën (panën) e rrahur te kremi mascarpone dhe përzieji ngadalë me spatulë silikoni, me lëvizje nga poshtë lart. Përzieji vetëm sa të bashkohen dhe të krijohet një krem i butë dhe i njëtrajtshëm.
12. Mbush dhe rrotulloje rrolladën.
Hape me kujdes pandispanjën, por mbaje mbi pecetë. Në fillim, shpërndaje salcën e ftohur të luleshtrydheve në të gjithë sipërfaqen. Pastaj vendos sipër kremin mascarpone dhe përhape në mënyrë të barabartë, duke lënë pak hapësirë anash që kremi të mos dalë jashtë kur ta rrotullosh.
Fillo ta rrotullosh nga ana e shkurtër, duke e ndihmuar me pecetë. Rrotulloje ngadalë dhe shtype lehtë me pecetë, që rrollada të marrë një formë të rregullt. Në fund, mbështille përsëri me pecetë dhe vendose në frigorifer për të paktën 2 orë, që kremi të forcohet dhe rrollada të pritet bukur.

13. Dekoroje dhe shërbeje.
Nxirre rrolladën nga frigoriferi dhe hiqe pecetën me kujdes. Spërkate sipër me pak sheqer pluhur dhe dekoroje me luleshtrydhe të freskëta. Preje në feta dhe shërbeje.

Këshilla
- Mos e piq pandispanjën më shumë seç duhet, sepse nëse thahet mund të çahet gjatë rrotullimit.
- Rrotulloje pandispanjën sa është ende e nxehtë, menjëherë pasi ta nxjerrësh nga furra.
- Ajka (pana) duhet të jetë e ftohtë që të rrihet mirë.
- Mos e përziej kremin më shumë seç duhet. Përzieje lehtë që të mbetet i butë dhe kremoz.
- Lëre rrolladën në frigorifer për të paktën 2 orë para se ta presësh, që kremi të forcohet dhe fetat të dalin të rregullta.