Supë kremoze me brokoli për çdo ditë

Kjo supë kremoze me brokoli është e ngrohtë, e butë dhe plot shije. Përgatitet me brokoli, perime të freskëta, xhenxhefil dhe pak pana për gatim. Është një supë e lehtë që mund ta përgatitësh në çdo kohë të vitit dhe shkon shumë mirë me bukë të freskët ose krutona.
Përbërësit
Për lëngun e perimeve
Bishtat dhe pjesët e mbetura nga 1 brokoli i madh ose 2 brokoli të vegjël
1 qepë mesatare
2 karota
3 kërcenj selinoje
2 litra ujë
Për supën
Lulet e 1 brokoli të madh ose 2 brokolive të vegjël
3 thelpinj hudhre, të shtypur
1 copë e vogël xhenxhefil të freskët, të grirë imët
1 dl pana për gatim
1 lugë gjelle niseshte
½ lugë çaji kumin pluhur
Kripë dhe piper i zi sipas shijes
1. Përgatit perimet.
Qëro qepën dhe karotat, pastaj preji në copa të vogla. Preje edhe selinon në copa. Ndaje brokolin në lule. Pjesën më të madhe të luleve lëre për supën që do ta bluajmë, ndërsa disa lule të vogla lëri mënjanë për në fund, që supa të ketë edhe copa brokoli. Bishtin dhe pjesët e mbetura të brokolit preji në copa dhe ruaji për përgatitjen e lëngut të perimeve.
2. Përgatit lëngun e perimeve.
Vendos qepën, karotat, selinon dhe bishtat e pjesët e mbetura të brokolit në një tenxhere të madhe. Shto 2 litra ujë dhe ziji në zjarr të ulët për rreth 1 orë, derisa perimet të zbuten mirë. Në fund, kulloje lëngun dhe ruaje për përgatitjen e supës.


3. Shto lëngun e perimeve dhe ziej brokolin.
Vendos në tenxhere pjesën më të madhe të luleve të brokolit që ke lënë për supën, bashkë me hudhrën dhe xhenxhefilin. Hidh sipër lëngun e perimeve që përgatite më parë dhe lëri të ziejnë në zjarr të ulët derisa brokoli të zbutet mirë.

4. Bluaje supën.
Kur brokoli të jetë zbutur mirë, largoje tenxheren nga zjarri dhe bluaje supën me blender dore derisa të bëhet e lëmuar dhe kremoze.

5. Shto panën dhe erëzat.
Shto kripën, piperin e zi, kuminin pluhur dhe panën për gatim. Përzieji mirë dhe lëre supën të ziejë lehtë për pak minuta.
6. Shto niseshten.
Tret niseshten në pak ujë të ftohtë, pastaj hidhe ngadalë në supë duke e përzier vazhdimisht. Vazhdo përzierjen derisa supa të fillojë të trashet dhe të bëhet më kremoze.

7. Shto lulet e brokolit që ke lënë mënjanë.
Në fund shto copat e vogla të brokolit që i ke lënë mënjanë. Lëri të ziejnë edhe 5–7 minuta, derisa të zbuten, por të mbajnë pak teksturë.

Këshilla
- Për një supë më kremoze, mund të shtosh pak më shumë pana për gatim.
- Niseshtenë trete gjithmonë fillimisht në ujë të ftohtë, që të mos krijohen kokrra në supë.
- Mos i zie shumë lulet e brokolit që shtohen në fund, në mënyrë që të mbajnë pak teksturë.
- Nëse dëshiron më shumë shije, mund të shtosh pak spec djegës ose trumzë të thatë.
- Supa shkon shumë mirë me bukë të freskët, bukë me hudhër ose krutona.
- Ruaje në frigorifer deri në 3 ditë dhe ngrohe ngadalë para se ta shërbesh.