Kadaif me krem vanilje

Ky kadaif me krem vanilje dhe pana është një ëmbëlsirë shumë e shijshme, me kadaif të pjekur, krem vanilje të butë dhe një shtresë të lehtë pana sipër. Fistikët e grirë i japin edhe më shumë shije dhe një pamje të bukur. Është një ëmbëlsirë që mund ta përgatitësh për familje, mysafirë ose për raste të veçanta.
Përbërësit
Për sherbetin
700 ml ujë
500 g sheqer
2 feta limoni
Për kadaifin
500 g kadaif i freskët
250 g gjalpë i shkrirë
Për kremin e vaniljes
Krem pastiçerie (krem vanilje i butë) – përgatite sipas recetës sonë për krem pastiçerie
Për kremin pana
500 ml krem pana
100 g sheqer pluhur
Për dekor
1 grusht fistikë të grirë imët
Përgatitja
1. Përgatit sherbetin.
Vendos ujin, sheqerin dhe fetat e limonit në një tenxhere. Ziejini në temperaturë mesatare për rreth 15 minuta, derisa sheqeri të tretet dhe sherbeti të ziejë lehtë. Hiqe nga zjarri dhe lëre të ftohet plotësisht.

2. Përgatit kadaifin.
Ndaji mirë fijet e kadaifit me duar, që të mos mbeten të ngjitura me njëra-tjetrën. Shpërndaje në një tepsi pa e shtypur shumë. Pastaj hidh gjalpin e shkrirë në të gjithë sipërfaqen, që kadaifi të lyhet mirë me gjalpë.


3. Pjeke kadaifin.
Pjeke në furrë të parangrohur në 180°C për rreth 30–35 minuta, derisa sipërfaqja të marrë një ngjyrë të bukur të artë.
4. Ktheje kadaifin dhe nxirr pjesën e mesit në sipërfaqe.
Nxirre tepsinë nga furra dhe, me ndihmën e një shpatulle kuzhine, ktheje me kujdes kadaifin që pjesa e poshtme të dalë sipër. Pjesa e mesit e kadaifit është më e vështirë të piqet mirë, sepse aty fijet janë më të mbledhura. Prandaj, hape lehtë me pirun dhe nxirre pjesën që nuk është pjekur mirë në sipërfaqe. Në këtë mënyrë, ajo pjesë piqet më mirë dhe bëhet krokante.
Vendose përsëri në furrë dhe pjeke edhe për rreth 10 minuta, derisa të marrë ngjyrë dhe të bëhet krokant.
5. Hidh sherbetin.
Hidh sherbetin e ftohur mbi kadaifin e ngrohtë, duke e shpërndarë në të gjithë sipërfaqen. Lëre për pak kohë që kadaifi ta thithë mirë sherbetin, ndërkohë që përgatit kremin e vaniljes.

6. Shto kremin e vaniljes.
Përgatit kremin e vaniljes sipas recetës për Krem pastiçerie (krem vanilje i butë). Kur kremi të jetë gati dhe ende i ngrohtë, shpërndaje mbi kadaif duke e mbuluar mirë të gjithë sipërfaqen.
7. Mbuloje kremin dhe lëre të ftohet.
Vendos folje plastike direkt mbi kremin e vaniljes, në mënyrë që folja të prekë sipërfaqen e kremit. Kjo ndihmon që sipër të mos krijohet kore. Lëre ëmbëlsirën të ftohet plotësisht dhe vendose në frigorifer për të paktën 3–4 orë.

8. Përgatit kremin pana.
Vendos kremin pana dhe sheqerin pluhur në një enë. Rrihi me mikser derisa kremi të trashet dhe të bëhet i qëndrueshëm. Mos e rrih më shumë seç duhet, që kremi të mbetet i butë.

9. Shto kremin pana.
Hiqe foljen plastike nga ëmbëlsira pasi të jetë ftohur plotësisht. Shpërndaje kremin pana mbi kremin e vaniljes dhe përhape me kujdes në të gjithë sipërfaqen.

10. Dekoroje me fistikë.
Hidh sipër fistikët e grirë dhe shpërndaji në të gjithë sipërfaqen. Pastaj preje kadaifin në copa sipas dëshirës dhe shërbeje.

Këshilla
Përdor kadaif të freskët për rezultat më të mirë dhe ndaji mirë fijet para pjekjes, që të piqen sa më mirë.
Sigurohu që sherbeti të jetë ftohur para se ta hedhësh mbi kadaifin e nxehtë. Kjo ndihmon që kadaifi ta thithë mirë sherbetin dhe të ketë shijen e duhur.
Pana është krem i lëngshëm për rrahje, që përdoret për përgatitjen e kremrave dhe ëmbëlsirave. Në Kosovë shpesh njihet si Hopla. Për këtë recetë përdor pana për rrahje, të ftohtë nga frigoriferi.
Këtë ëmbëlsirë mund ta përgatitësh edhe një ditë më herët. Pasi të qëndrojë në frigorifer, shijet bashkohen edhe më mirë.