Biskota me copa çokollate – recetë e lehtë

Biskota me copa çokollate, të pjekura dhe të vendosura njëra mbi tjetrën

Biskotat me copa çokollate janë të thjeshta për t'u përgatitur dhe dalin me skaje krokante, brendësi të butë dhe copa çokollate që shkrihen gjatë pjekjes. Përgatiten me përbërës të thjeshtë dhe janë shumë të mira për t'i shijuar me kafe, çaj ose një gotë qumësht.


Përbërësit

  • 120 g gjalpë në temperaturë dhome
  • 100 g sheqer i kaftë
  • 100 g sheqer i bardhë
  • 1 vezë
  • 1 lugë çaji ekstrakt vanilje ose sheqer vanilje
  • 200 g miell
  • 1 lugë gjelle niseshte
  • ½ lugë çaji sodë buke
  • ½ lugë çaji kripë
  • 200 g çokollatë e grirë trashë ose copa çokollate


1. Përgatit masën

Vendose gjalpin, sheqerin e kaftë dhe sheqerin e bardhë në një enë të madhe. Përzieji mirë me spatul derisa të bashkohen mirë. Shto vezën dhe ekstraktin e vaniljes ose sheqerin e vaniljes dhe përzieji derisa të krijohet një masë e butë dhe kremoze.

Brumë për biskota me copa çokollate, duke u përzier me spatul


2. Shto përbërësit e thatë

Sitni miellin, shto niseshtenë, sodën e bukës dhe kripën direkt mbi masën. Përzieji me kujdes me shpatull derisa të bashkohen dhe të formohet brumi. Mos e përziej më shumë seç duhet.

Miellë, niseshte dhe sodë buke duke u situr mbi masën për biskota me copa çokollate


3. Shto çokollatën

Shto copat e çokollatës dhe përzieji me kujdes me spatul derisa të shpërndahen në të gjithë brumin.

Brumë për biskota me copa çokollate, i përzier me spatul


4. Ftoh brumin

Mbuloje enën me folje plastike dhe vendose brumin në frigorifer për të paktën 2 orë. Kjo e forcon brumin, e bën më të lehtë formimin e biskotave dhe ndihmon që të ruajnë formën gjatë pjekjes.


5. Formo biskotat

Ngrohe furrën në 175°C dhe vendos letër pjekjeje në tepsi. Me një lugë akulloreje ose lugë gjelle, merr pjesë të brumit dhe formo toptha me madhësi të njëjtë. Vendosi në tepsi duke lënë hapësirë mes tyre, sepse gjatë pjekjes biskotat do të hapen.

Toptha brumi me copa çokollate të vendosura në tepsi, gati për pjekje


6. Pjeki biskotat

Pjeki në furrë për 11–13 minuta, derisa skajet të marrin ngjyrë të artë, ndërsa mesi të mbetet pak i butë.

Biskota me copa çokollate të pjekura në tepsi


7. Ftoh biskotat

Pasi t'i nxjerrësh nga furra, lëri biskotat në tepsi për 5–10 minuta. Më pas vendosi në një rrjetë ftohjeje dhe lëri të ftohen plotësisht para se t'i shërbesh.


Këshilla

  • Përdor gjalpë në temperaturë dhome, që të përzihet më lehtë me sheqerin.
  • Mos e anashkalo kohën në frigorifer. Të paktën 2 orë ndihmojnë që biskotat të ruajnë formën gjatë pjekjes.
  • Për një shije më të pasur, mund të përdorësh çokollatë të grirë trashë në vend të copave të gatshme të çokollatës.
  • Mos i pjek biskotat më gjatë seç duhet. Mesi duhet të mbetet pak i butë kur t'i nxjerrësh nga furra.
  • Ruaji biskotat në një enë të mbyllur mirë, në temperaturë dhome. Mund të qëndrojnë të freskëta deri në 5 ditë.