Tortë Napoleon – recetë klasike me krem vanilje

Tortë Napoleon me krem vanilje dhe glazurë të bardhë, e prerë në feta dhe e shërbyer në pjatë

Torta Napoleon është një ëmbëlsirë me petë krokante dhe krem vanilje të butë e kremoze. Pas disa orësh në frigorifer, petët zbuten pak nga kremi dhe torta merr një shije dhe teksturë shumë të mirë.

Përgatitja kërkon pak durim, sidomos gjatë përgatitjes së petëve dhe kremit, por rezultati ia vlen. Është një ëmbëlsirë shumë e mirë për festa, ditëlindje ose për ta shijuar me familjen.


Përbërësit 


Për kremin e vaniljes

  • 3 lugë çaji pluhur xhelatine (rreth 9–10 g) ose 6 fletë xhelatine
  • 120 g sheqer
  • 600 ml qumësht
  • 4 të verdha vezësh
  • 4 lugë gjelle niseshte misri
  • 2 lugë çaji sheqer vaniljeje


Për petët

  • 6 petë brumi sfoliat


Për mbushjen

  • 300 ml pana për rrahje (Hopla)
  • 50 g sheqer pluhur
  • Kremi i vaniljes i ftohur


Për glazurën

  • 150 g sheqer pluhur
  • 4 lugë gjelle ujë të ftohtë


1. Përgatit xhelatinën

Nëse përdor fletë xhelatine, vendosi në një enë me ujë të ftohtë dhe lëri të zbuten për 5–10 minuta. Nëse përdor pluhur xhelatine, përzieje me pak ujë të ftohtë dhe lëre të fryhet sipas udhëzimeve në paketim.


2. Ngroh qumështin

Hidh qumështin, sheqerin dhe sheqerin e vaniljes në një tenxhere. Ngrohi në zjarr mesatar derisa sheqeri të tretet dhe qumështi të nxehet mirë, por pa e lënë të vlojë.


3. Përziej të verdhat me niseshtenë

Në një enë, rrih të verdhat e vezëve me niseshtenë e misrit derisa të përzihen mirë dhe të krijohet një masë e lëmuar, pa kokra.

Krem vanilje i përgatitur për Tortën Napoleon, duke u përzier me tel kuzhine


4. Shto xhelatinën

Hiqe tenxheren nga zjarri dhe shto xhelatinën e përgatitur. Përzieje mirë derisa të tretet plotësisht. Nëse përdor fletë xhelatine, shtrydhi mirë që t'u largohet uji i tepërt para se t'i shtosh në tenxhere.


5. Bashko qumështin me të verdhat

Hidhe qumështin e nxehtë pak nga pak te përzierja me të verdhat e vezëve, duke e përzier vazhdimisht me tel kuzhine. Kështu vezët ngrohen gradualisht dhe nuk mpiksen.

Qumësht i nxehtë duke u shtuar te përzierja e të verdhave dhe niseshtesë për kremin e vaniljes


6. Trashe kremin

Hidhe përzierjen përsëri në tenxhere dhe ngrohe në zjarr mesatar, duke e përzier vazhdimisht me tel kuzhine ose spatul. Vazhdo ta përziesh derisa kremi i vaniljes të trashet dhe të bëhet i butë, i lëmuar dhe kremoz.

Krem vanilje duke u trashur dhe duke u përzier në tenxhere


7. Ftoh kremin

Hidhe kremin e vaniljes në një enë të pastër. Vendos folien plastike direkt mbi sipërfaqen e kremit, në mënyrë që të jetë në kontakt me të gjithë kremin. Kjo ndihmon që të mos krijohet një shtresë sipër gjatë ftohjes. Më pas vendose në frigorifer derisa të ftohet plotësisht.

Krem vanilje i një enë, i mbuluar me folje plastike që është vendosur direkt mbi sipërfaqen e kremit


8. Përgatit petët

Vendosi 6 petët e brumit sfoliat mbi një letër pjekjeje. Vendos 2 petë vertikalisht, ngjitur me njëra-tjetrën. Sipër tyre vendos 2 petë horizontalisht, pastaj 2 petët e fundit përsëri vertikalisht. Kështu do të krijosh 3 rende me nga 2 petë, të vendosura njëra mbi tjetrën.

6 petë brumi sfoliat të vendosura në tre rende, gati për t’u hapur me okllai


9. Hapi petët me okllai

Vendos një fletë tjetër letre pjekjeje sipër petëve dhe hape të gjithë masën me okllai, derisa të formosh një drejtkëndësh të madh me trashësi të njëjtë në të gjithë sipërfaqen. Mundohu që madhësia e tij të jetë afërsisht sa tepsia e furrës.

Petët e brumit sfoliat duke u hapur me okllai në një drejtkëndësh të madh


10. Ndaje brumin në dy pjesë

Hiqe me kujdes letrën e sipërme të pjekjes. Rregulloji skajet me thikë që të formosh një drejtkëndësh të pastër dhe të rregullt. Pastaj preje brumin në mes, duke krijuar dy drejtkëndësha të barabartë. Këto dy pjesë do të jenë korja e poshtme dhe korja e sipërme e tortës Napoleon.

Brumi i hapur duke u prerë në mes për të formuar dy pjesët e tortës Napoleon


11. Shpoji dhe piq petët

Vendosi të dyja pjesët së bashku me letrën e pjekjes në një tepsi. Shpoji mirë me pirun në disa vende, që të mos fryhen shumë gjatë pjekjes. Pjeki në furrë të parangrohur në 200°C për rreth 15 minuta, ose derisa të marrin ngjyrë të artë.

Petë brumi sfoliat duke u shpuar me pirun para pjekjes


12. Ftoh petët

Lëri petët e pjekura të ftohen plotësisht në temperaturë dhome para se t'i mbushësh me krem.


13. Rrih panën

Hidh panën për rrahje (Hopla) dhe sheqerin pluhur në një enë. Rrihi me mikser derisa të përftosh një krem të butë dhe të qëndrueshëm. Mos e rrih më shumë seç duhet, që pana të mos prishet.

Pana duke u rrahur me mikser për përgatitjen e kremit të Tortës Napoleon


14. Bashko kremin e vaniljes me panën

Nxirre kremin e vaniljes nga frigoriferi. Meqë gjatë ftohjes është forcuar, rrihe fillimisht vetëm me mikser derisa të zbutet dhe të bëhet përsëri i lëmuar.

Pastaj shto panën e rrahur pak nga pak. Pas çdo shtese, përzieje me kujdes me spatul derisa të bashkohet mirë me kremin. Vazhdo kështu derisa ta shtosh të gjithë panën dhe të përftosh një krem të butë dhe të ajrosur.

Kremi i vaniljes duke u bashkuar me panën e rrahur


15. Shto kremin mbi petën

Vendose njërën petë të pjekur në një pjatë ose tabaka për servirje. Shpërndaje të gjithë kremin mbi të dhe hape me spatul, derisa të mbulojë të gjithë sipërfaqen në një shtresë të barabartë.

Kremi duke u shpërndarë mbi petën e pjekur të Tortës Napoleon
Kremi i shpërndarë në mënyrë të barabartë mbi petën e pjekur të Tortës Napoleon


16. Vendos petën e dytë

Vendose me kujdes petën e dytë sipër kremit. Nëse kremi nuk është shpërndarë deri në skaje, shtype lehtë petën e sipërme nga lart, që kremi të shpërndahet dhe të mbushë në mënyrë të barabartë të gjithë tortën. Nëse një pjesë e kremit del jashtë skajeve, mblidhe me spatul dhe shtyje përsëri brenda, duke rregulluar skajet e tortës.


17. Përgatit glazurën

Hidh sheqerin pluhur dhe ujin e ftohtë në një enë të vogël. Përzieji mirë me lugë derisa të përftosh një glazurë të lëmuar, pa kokra. Nëse glazura është shumë e trashë, shto disa pika ujë. Nëse është shumë e hollë, shto pak sheqer pluhur derisa të arrijë trashësinë e duhur për t'u përhapur lehtë mbi tortë.


18. Përhap glazurën

Hidhe glazurën mbi petën e sipërme. Me pjesën e pasme të një luge ose me një spatul të vogël, përhape ngadalë deri te skajet, derisa e gjithë sipërfaqja të mbulohet me një shtresë të hollë dhe të barabartë.

Tortë Napoleon e montuar me krem vanilje dhe glazurë të bardhë sipër


19. Lëre tortën në frigorifer

Vendose tortën në frigorifer për të paktën 3–4 orë, por është edhe më mirë ta lësh gjatë gjithë natës. Gjatë kësaj kohe, kremi do të forcohet dhe petët do të zbuten pak nga kremi, duke e bërë tortën më të qëndrueshme dhe më të shijshme.


20. Prej dhe shërbeje tortën

Pasi torta të ketë qëndruar në frigorifer, preje me një thikë të mprehtë, mundësisht me dhëmbëza, në copa sipas dëshirës. Fshije thikën pas çdo prerjeje, që copat të dalin më të pastra dhe më të rregullta. Shërbeje tortën Napoleon të ftohtë.

Tortë Napoleon me krem vanilje dhe glazurë të bardhë, e prerë në feta dhe e shërbyer në pjatë


Këshilla

  • Kremin e vaniljes mund ta përgatitësh një ditë më parë. Ruaje të mbuluar në frigorifer dhe, para se ta bashkosh me panën e rrahur, rrihe shkurt me mikser derisa të bëhet përsëri i butë dhe i lëmuar.
  • Para se të vendosësh petën e parë, vendos pak krem në pjatën ose tabakanë e servirjes. Kjo e mban petën në vend dhe nuk e lejon të rrëshqasë gjatë montimit.
  • Për ta mbajtur pjatën të pastër, vendos shirita të ngushtë letre pjekjeje përgjatë skajeve të saj para se të fillosh montimin. Në fund, hiqi me kujdes.
  • Lëre tortën në frigorifer për të paktën 3–4 orë, por edhe më mirë gjatë gjithë natës. Kështu kremi forcohet dhe torta pritet më lehtë.
  • Përdor një thikë të mprehtë, mundësisht me dhëmbëza, dhe fshije pas çdo prerje që copat të dalin të pastra dhe të rregullta.
  • Ruaje tortën të mbuluar në frigorifer. Mund ta mbash deri në 2–3 ditë.