Rrolladë me luleshtrydhe dhe krem mascarpone

Kjo rrolladë me luleshtrydhe dhe krem mascarpone është një ëmbëlsirë e lehtë dhe shumë e shijshme. Kombinimi i pandispanjës me mbushjen me luleshtrydhe dhe krem e bën ideale për çdo rast, si për familjen ashtu edhe për mysafirë. Përgatitet thjesht dhe jep një rezultat shumë të bukur.
🧾 Përbërësit
🍓 Salcë me luleshtrydhe
- 250 g luleshtrydhe (të freskëta ose të ngrira)
- 50 g sheqer
🍰 Pandispanjë për rrolladë
- 100 g miell
- 1 lugë çaji pluhur pjekës
- ½ lugë çaji kripë
- 4 vezë (në temperaturë ambienti)
- 150 g sheqer
- 1 lugë çaji sheqer vanilje
- 2 lugë gjelle vaj neutral
🤍 Krem me mascarpone
- 250 g mascarpone
- 60 g sheqer pluhur
- 1 lugë çaji sheqer vanilje
- 200 ml ajkë për rrahje
✨ Për dekor
- Pak sheqer pluhur
- Luleshtrydhe të freskëta
Si ta përgatisësh
🍓 Salca me luleshtrydhe
1. Vendos luleshtrydhet dhe sheqerin në një tenxhere të vogël. Lëri në zjarr mesatar derisa të zbuten mirë.
2. Bluaji me blender derisa të bëhen si pure, pastaj kaloji në sitë që të heqësh farat. Lëre të ftohet plotësisht.
Pandispanja
3. Rrih vezët me sheqerin dhe vaniljen me mikser dore derisa masa të fryhet dhe të bëhet më e çelët në ngjyrë.
4. Sit miellin direkt në masën e vezëve, shto edhe pluhurin për pjekje dhe kripën. Përziej shkurt me mikser në shpejtësi të ulët, vetëm sa të bashkohen përbërësit.
Në fund shto edhe vajin dhe përzieje shkurt derisa të lidhet masa.

5. Hidhe masën në një tepsi drejtkëndëshe (rreth 30 × 40 cm) të shtruar me letër pjekjeje dhe shpërndaje njëtrajtshëm në gjithë sipërfaqen.

6. Piqe në furrë të parangrohur në 180°C për rreth 12–15 minuta, derisa sipërfaqja të marrë një ngjyrë të lehtë të artë.
7. Vendos një pecetë kuzhine mbi tavolinë dhe spërkate lehtë me pak sheqer pluhur.
8. Ktheje pandispanjën e nxehtë mbi pecetë kuzhine që e ke spërkatur me pak sheqer pluhur dhe hiq me kujdes letrën e pjekjes.
Rrotulloje menjëherë së bashku me pecetën, duke e mbuluar plotësisht nga të gjitha anët. Pandispanja duhet të jetë e mbështjellë brenda në pecetë, jo vetëm e rrotulluar sipër saj.
Mos e lër të hapur, sepse nëse ftohet pa qenë e mbuluar mirë, mund të çahet gjatë rrotullimit më vonë.
Lëre të qëndrojë kështu për rreth 10–15 minuta derisa të marrë formën.

9. Në një enë rrih djathin mascarpone me sheqerin pluhur dhe sheqerin vanilje me mikser dore, derisa sheqeri të tretet dhe masa të bëhet kremoze.
10. Në një enë tjetër rrih ajkën e ftohtë (krem pana) me mikser derisa të trashet dhe të marrë formë kremi.
11. Bashko të dy kremrat dhe përzieji lehtë me një spatul silikoni derisa të lidhen mirë.

12. Hape me kujdes pandispanjën, por lëre mbi pecetë.
Shpërndaje salcën e luleshtrydheve në mënyrë të njëtrajtshme në gjithë sipërfaqen.
Mbi të shto edhe kremin mascarpone dhe shpërndaje mirë, por lë pak hapësirë në anët që kremi të mos dalë jashtë gjatë rrotullimit.
Rrotulloje përsëri pandispanjën nga ana e shkurtër, duke përdorur pecetën për ndihmë. Shtype lehtë që të marrë formë të bukur.
Mbështille përsëri me pecetë dhe vendose në frigorifer për të paktën 2 orë që të qëndrojë mirë dhe të pritet më lehtë.

13. Spërkate me pak sheqer pluhur dhe zbukuroje me luleshtrydhe të freskëta. Prije në copa dhe shërbeje.

💡 Këshilla
- Mos e piq shumë pandispanjën, sepse thahet dhe çahet gjatë rrotullimit.
- Rrotulloje sa është ende e ngrohtë – kjo e ndihmon të marrë formën pa u thyer.
- Ajka duhet të jetë e ftohtë para se ta rrahësh, që të trashet mirë.
- Për një rezultat më të mirë, mos e tepro me përzierjen e kremit – përzieje lehtë që të mbetet i butë.
- Lëre në frigorifer mjaftueshëm që të forcohet dhe të pritet bukur në feta.